Kalimi në dixhital, AMA: Përgatituni, së shpejti fikim analogun
Procesi i fikjes së transmetimeve televizive analoge do të përshpejtohet gjatë muajve të ardhshëm. Në një intervistë për “SCAN”, Dritan Xhelili, drejtor kabineti i kryetarit të Bordit Drejtues të Autoritetit të Medias Audiovizuale, thotë se pas Beratit, radhën do ta ketë qarku i Korçës. Një afat përfundimtar për fikjen e transmetimeve do të vendoset së shpejti, megjithatë, sipas AMA-s, ky proces do të jetë shumë më i shpejtë krahasuar me ritmin që ka pasur deri tani.
Pas ngritjes së rrjetit të transmetimit numerik të televizionit publik shqiptar, procesi nuk ka më pengesa madhore teknike. Gjithashtu, rishikimi në ulje i tarifave të transmetimit në platformën e TVSH duket se ka sheshuar kundërshtitë e operatorëve televizivë dhe në Qarkun e Beratit procesi është mbyllur pa probleme. Sidoqoftë, duket se publiku ende nuk është shumë i përgatitur dhe AMA ka kërkuar fonde nga Ministria e Financave për të bërë një fushatë tjetër sensibilizimi lidhur me nevojën për t’u pajisur me aparate dekoder. Këto pajisje përfitohen falas nga familjet e në ndihmë ekonomike, ndërsa të tjerët duhet t’i sigurojnë ato vetë.
Në thelb, kalimi në transmetime dixhitale ka si qëllim përdorimin më eficient të spektrit të radiofrekuencave. Brezi 800 Mhz që është përdorur për transmetime televizive analoge do të kalojë në administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe të jepet në përdorim për operatorët shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm. Përdorimi i brezit 800 Mhz do të zgjerojë ndjeshëm kapacitetet e ofrimit të internetit me brez të gjerë. AKEP vlerëson se dhënia e këtij brezi në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ka një impakt të ndjeshëm jo vetëm në këtë sektor, por në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Zhvillimi i infrastrukturës dhe shërbimeve broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet qeveritare në përgjithësi. Përmes këtij brezi, gjithashtu pritet të rritet depërtimi i shërbimit te internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat rurale dhe me dendësi të vogël popullsie.
Zoti Xhelili thotë se lirimi i këtij brezi është drejt përfundimit. I vetmi stacion që vazhdon të transmetojë në të është ai i Ardenicës në Qarkun e Fierit, por, sipas AMA-s, edhe ky stacion do të fiket së shpejti.
Kalimi i plotë i transmetimeve televizive në teknologjinë dixhitale është një proces që shtyhet prej vitesh, për arsye të ndryshme. Fillimisht, pengesa ishte mosndërtimi i rrjetit dixhital të televizionit publik, që do të përfaqësojë alternativën kryesore të transmetimit, sidomos për operatorët e vegjël vendorë dhe lokalë. Pritej që kalimi i plotë në transmetime dixhitale për alotmentin që përfshin qarqet e Tiranës dhe Durrësit të bëhej në mesin e këtij viti. Mbyllja e transmetimeve analoge u shty, zyrtarisht për shkak të mungesës në treg të një sasie të mjaftueshme të pajisjeve dekoderë për marrjen e sinjalit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.