Kalon me sukses Vetting-un – Pasuri modeste, Prokurorja Anila Leka konfirmohet në detyrë
Prokurorja Anila Leka është konfirmuar përfundimisht në detyrë duke kaluar me sukses testin e Vetting-ut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konsideroi Lekën të përshtatshme për të vijuar karrierën në sistemin e drejtësisë pasi ajo përmbush kriterin e pastërtisë së figurës, të profesionalizmit, si dhe të pasurisë.
Nga hetimi i thelluar që ju bë Prokurores së Përgjithshme Anila Leka rezultoi se ajo zotëron një apartament me sipërfaqe 91.5 metra katrorë në Tiranë me vlerë 34 mije dollarë, si dhe një apartament në Golem me sipërfaqe 74 metra katrorë, me vlerë 3 milionë leke, i paregjistruar ne hipotekë.
Leka zotëron rreth 3.5 milionë lekë të investuara në bono thesari, si dhe një llogari bankare prej 230 mijë lekësh. Dy personat e lidhur me të, babai dhe mamaja e saj kanë deklaruar dy depozita personale përkatësish 7 mijë dollarë dhe 9 mijë dollarë, të përfituara prej statusit të ish të përndjekurit politik.
Anila Leka është një ndër emrat e përzgjedhur me prioritet për t’ju nënshtruar procesit të Vetting-ut, duke qenë se ajo është kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.