Kamatvonesa e borxhit tatimor – Detyrimet paguhen me interes 6.3%
Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore edhe pse ka ardhur në rënie gjatë muajve të parë të këtij viti, përsëri mbetet i lartë.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve , ku shihet qartë se numri i bizneseve që janë debitore ndaj kësaj administrate është mbi 17 mijë.
Por referuar mospagesës së detyrimeve nga sipërmarrja, administrate tatimore ka aplikuar një normë interesi prej 6.3 për qind për periudhën e parë të këtij viti.
Sipas njoftimit zyrtar të tatimeve publikohet norma e interesit që aplikohet për llogaritjen e kamatëvonesës, kur detyrimi nuk paguhet në afat deri në datën e pagesës së tatimit.
Masa e kamatëvonesës, sipas ligjit, është 120 për qind e shkallës së interesit ndërbankar të Bankës së Shqipërisë, që përcaktohet çdo tremujor, në bazë të shkallës mesatare të tremujorit paraardhës.
Gjithashtu me kamatvonesë paguhen edhe detyrimet e prapambetura që biznesi i ka administratës doganore. Por duke krahasuar këto norma rezulton se interesi te Tatimet është më i lartë se ai që aplikohet në dogana.
Kështu, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, bazë për llogaritjen e kamatvonesave gjatë 6 mujorit të dytë të vitit 2016 do të jetë interesi 2.25 për qind kur borxhi shlyhet brenda muajit, ndërsa kur borxhi shlyhet nga sipërmarrja jo brenda muajit të përcaktuar interesi është 5.25 për qind.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për periudhën e parë të vitit ky interes ishte më i lartë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.