Kanadaja hap dyert për emigrantët – Fluks kërkese për punësimin e të rinjve
Kanadaja është një model i mirëqenies e ngjashme me atë europiane, ku kujdesi shëndetësor është falas për të gjithë dhe shkollat janë të një niveli shumë cilësor. Dyert e shtëpive janë gjithmonë të hapura, pasi ndryshe nga SHBA ndalohet shitja e armëve duke evituar kështu rrezikun e dhunës . Gjithashtu ekzistojnë edhe programet për të tërhequr të huajt, si studentët , të cilët në shumë shkolla të mesme pranohen falas edhe nga shtetet më të largëta për të promovuar kështu shkëmbime kulturore me vendasit, ashtu edhe punëtorët e specializuar, mjekë, inxhinierë elektronikë dhe mësues.
Veç kësaj një tjetër aspekt është tërheqja e investimeve me regjime tatimore të favorshme për kompanitë e huaja. Dhe mbi të gjitha vizat merren shumë më lehtë, në një moment kur Shtetet e Bashkuara të Trump janë bërë një makth për të huajt në lidhje rinovimin vjetor të vizave të studimit apo të punës. Kështu pra Kanadaja sipas statistikave është në një bum ekonomik që e ka kthyer atë në “Amerikën e re” për ata që kërkojnë punë ose mundësi studimi.
Shumë të rinj në mesin e punësimeve të reja
Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, Kanadaja ka regjistruar 471.300 punësime të reja, më e larta në një vit që nga viti 2003. Papunësia mbetet e qëndrueshme në 5.7%. Rritja «monstre» e numrit të të punësuarve u takon mbi të gjitha hyrësve të rinj, punëtorëve të rinj që vijnë nga jashtë, të favorizuar nga politikat e qeverisë kanadeze që favorizojnë emigrimin cilësor të të diplomuarve dhe punëtorëve të specializuar. Dhe shumica e punësimeve të reja, më shumë se gjysma sipas statistikave kanë të bëjnë me të rinjtë.
Arratisja e ‘ëndërrimtarëve’
Kanada po përpiqet të tërheqë talentin më të mirë të teknologjisë së lartë (hi-tech) për të mbështetur rritjen e sektorit. Prej muajsh ka nisur një eksod i punëtorëve nga Silicon Valley, të cilët largohen nga Kalifornia për të punuar në një degë të kompanisë së tyre në luginën e teknologjisë së Torontos, ose zonën e Vancouver ose për të kërkuar punë në një nga shumë start-up premtuese kanadeze, si ato që sapo përmendëm, duke shtuar kështu çmimin e aksioneve në Bursën e Torontos. Vizat nuk janë problem në Kanada edhe pse pagat janë më të ulëta se në zonën e San Francisko, kostoja e jetesës është gjithashtu më e ulët. E vetmja gjë që ndryshon nga Kalifornia është klima.
Bumi i kërkesave për rezidencë
Aplikimet për qëndrim në Kanada të punëtorëve të huaj të Silicon Valley me vizën H-1B, gjithnjë e më të vështirë për tu rinovuar me administratën Trump, kanë shpërthyer në plot kuptimin e fjalës. Përveç eksodit të të ashtuquajturve ëndërrimtarë, ka filluar një pelegrinazh i vërtetë i sipërmarrësve kanadezë të hi-tech të cilët udhëtojnë në Silicon Valley për të bindur kompanitë amerikane të lëvizin punëtorët e tyre të huaj përtej kufirit, duke hapur filiale ose duke u mbështetur në kompanitë lokale. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.