Kandidati i CDU, dështon në debat – Olaf Scholz i SPD kryeson garën në sondazhe për t’u bërë kancelar
Kandidati për kancelar i partisë konservatore të kancelares, Angela Merkel, ka dështuar të ringjallë fushatën e tij, në debatin me rivalët e tij. Ndërkohë, sipas sondazheve, gara kryesohet nga kandidati i SPD, Olaf Scholz.
Kandidati konservator, i cili do të pasojë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dështoi të ringjallë fushatën e tij, në një debat të nxehtë me rivalët e tij kryesorë. Sipas një sodazhi të realizuar, partia e tij është prapa socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD). Armin Laschet, lideri i kristiandemokratëve (CDU) të Merkel, sulmoi kandidatin për kancelar të SPD, Olaf Scholz, për të mos përjashtuar mundësinë e një koalicioni me partinë e ekstremit të majtë, Linke. Por, një sondazh i menjëhershëm pas debatit me votuesit, i realizuar nga Forsa tregoi se 36% besojnë te fitorja e Scholz, 30% për kandidaten e të Gjelbërve Annalena Baerbock dhe 25% për kandidatin e CDU-së, Armin Laschet.
Gjermania do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme më 26 shtator, kur Merkel jep dorëheqjen si kancelare, pas 16 vitesh në pushtet dhe 4 fitore të njëpasnjëshme në zgjedhjet kombëtare. Por, largimi i afërt i Merkel ka dobësuar mbështetjen për aleancën e saj konservatore. Gjatë debatit, Laschet shkëmbeu akuza me Baerbock, e cila e akuzoi CDU-në dhe SPD-në se kanë bërë shumë pak në luftën kundër ndryshimeve klimatike, veçanërisht pas përmbytjeve shkatërruese në Gjermani, gjatë kësaj vere.
Scholz, i cili është kandidati më popullor në sondazhe, ruajti qetësinë gjatë debatit, ndërsa u fukusua më shumë te çështjet financiare, si taksat dhe pensionet. Ai premtoi “një shoqëri që respektin për të gjithë.” Mbështetja për SPD u rrit me 2 pikë krahasuar me një javë më parë, në 24%, rezultati më i mirë në 4 vitet e fundit, sipas një sondazhi të INSA të kryer për llogari të Bild. Ndërsa konservatorët ranë me 1 pikë, në 21%. Në një votim hipotetik të drejtpërdrejtë për kancelar, sondazhi i INSA tregoi se Scholz do të merrte 31% të votave, krahasuar me 10% për Laschet dhe 14% për Baerbock. Por, pavarësisht epërsisë së SPD-së në sondazhe, do të duhet një koalicion me dy parti të tjera për të qeverisur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.