Kantieret në Rrugën e Arbrit – Rama dhe Balluku inspektojnë zonën. Punimet do të mbyllen brenda afatit.
Kryeministri Edi Rama, bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan gjatë ditës e sotme kantieret e Rrugës së Arbrit.
Sipas njoftimit ecuria është mjaft e mire dhe mendohet që çdo gjë të mbyllet brenda afatit të caktuar, pra pranverën e vitit 2021. Sipas njoftimit, Rama dhe Balluku u ndalën në dalje të tunelit T5, i cili ka një gjatësi prej 500 metër dhe përveç shtresës së asfaltit është përfunduar plotësisht. Me të njëjtat ritme është punuar edhe në Urën e Vashës, ku kanë mbaruar themelet dhe është montuar gjysma e strukturës metalike.
“Ura e vashës përfundon gjatë periudhës së verës. E konsiderojmë si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur” – tha ministrja.
Sipas njoftimit, kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark. Në krahun tjetër të urës, në hyrjen e tunelit T6, që ka një gjatësi 335 metër, është ecur paralelisht dhe tashmë është hapur plotësisht, si dhe po avancohet me fazat e tjera të punimeve. Gjithashtu, në Rrugën e Arbrit deri më tani janë realizuar afro 40% e punimeve. “40% i volumit për momentin. Jemi para afatit dhe besoj se pjesën më komplekse e kemi kaluar,” –tha përfaqësuesi i firmës ndërtuese.
Kryeministri Rama u shpreh se e gjithë kjo vepër do të mbyllet brenda pranverës së vitit 2021. “Kontrata e ka në nëntor, ne e kemi lënë në pranverën e 2021-it”-tha Kryeministri.
Po ashtu Rama nënvizoi pjesën panoramike të gjithë kësaj rruge, e cila do të jetë mjaft atraktive edhe për turistë e vizitorë të shumtë, që mund të shfrytëzojnë bukuritë e zonës.
“Kjo rrugë ka dhe një efekt panoramik të jashtëzakonshëm. Është rrugë fantastike. Është e vështirë për t’u bërë, por kur të mbarojë do jetë e bukur” –tha Rama.
Sipas njoftimit, puna tashmë ka hyrë në një faze më të avancuar të grafikut të punimeve, duke u përqendruar në ndërtimin e trupit të rrugës dhe të shtresave rrugore, përfshirë dhe ata të gjelbërimit, në ndërtimin e llojeve të ndryshme të veprave të artit, në punimet për hapjen, betonimin dhe ato elektro-mekanikë të tuneleve, në ndërtimin dhe montimin e urave të mëdha, në drenazhimin e trupit të rrugës, etj..
Për momentin po punohet pothuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës. Rruga ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km nga të cilat deri më sot janë hapur plotësisht 5 tunele dhe po vazhdon hapja e tunelit të Murrizit nga dalja e tij. Deri më tani janë hapur në total 2.8 km tunel. Sipas njoftimit, një volum i madh pune është kryer për ndërtimin e katër urave kryesore, një prej të cilave është edhe Ura e Vashës. Gjithashtu ka përfunduar tërësisht Ura U3 mbi Lumin Zalli i Bulqizës me gjatësi 144m dhe ajo U4 mbi Drinin e Zi me gjatësi prej 260m.
Njoftimi bëri me dije, se po punohet me intensitet edhe për ndërtimin e Urës së Fshatit Fshat që ka një gjatësi 250m dhe lartësi 157m mbi Lumin e Xibrit, e cila ndodhet midis tunelit T3 dhe atij T4.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.