Kapen “Shëtitësit e mesnatës” – Policia arreston 4 persona të dyshuar për 12 raste vjedhjesh në Tiranë
Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e operacionit “Shëtitësit e mesnatës” si rezultat i të cilit ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 12 raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje të lokaleve, këmbimit valutor dhe bizneseve të ndryshme, të ndodhura gjatë dy muajve të fundit në zona të ndryshme të Tiranës.
Sipas njoftimit janë vënë në pranga 4 autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, dy prej tyre me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar me prova ligjore të pakontestueshme, si dhe falë shërbimeve grackë të ngritura për këtë qëllim, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 arrestuan në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Shëtitësit e mesnatës”, shtetasit A. M., 23 vjeç, K. S., 17 vjeç (të dy të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”), A. C, 17 vjeç dhe O. I., 15 vjeç,” bën me dije njoftimi.
Sipas Policisë këta shtetas janë kapur në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vjedhin në një lokal dhe nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas janë autorët kryesorë të dyshuar për disa vjedhje në qarkun e Tiranës, konkretisht:
- Vjedhja e një shume parash në një lokal në pronësi të shtetasit F. M., ngjarje e ndodhur më datë 31.08.2020, në Unazën e Re.
- Vjedhja e një shume parash në një furrë buke në pronësi të shtetasit M. H., ngjarje e ndodhur më datë 31.08.2020, në rrugën “Panajot Pano”.
- Tentativa për vjedhje në një dyqan të këmbimit valutor Exchange, ngjarje e ndodhur më datë 31.08.2020, në Unazën e Re.
- Tentativa për vjedhje në një market në pronësi të shtetasit G. B., ngjarje e ndodhur më datë 25.08.2020, në rrugën “Leonard Frroku”.
- Vjedhja e një shume parash në një lokal në pronësi të shtetasit Sh. Zh., ngjarje e ndodhur më datë 26.08.2020, në rrugën “Thoma Goxhaj”.
- Tentativa për vjedhje me thyerje të një agjencie udhëtimesh në pronësi të shtetases E. K., ngjarje e ndodhur më datë 29.08.2020, në rrugën “Don Bosko” etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.