Kapshticë, arrestohet shtetasi turk – Policia sekuestron rreth 10 mijë euro
Policia e Shtetit tha se në doganën e Kapshticës, gjatë kontrolleve është goditur një tjetër rast i tentativës për transferta të paligjshme parash jashtë vendit, si edhe falsifikimit të vizave.
Sipas njoftimit, Policia Kufitare e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë po vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohen në Pikat e Kalimit Kufitar.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë edhe një shtetas turk si dhe janë sekuestruar 5300 Dollarë, 4095 Euro si edhe 350 pulla vizash të huaja të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas njoftimit nga informacionet e marra në rrugë operative, si dhe kontrolleve të shtuara , shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në vijën e dytë të mjetit tip autobus me drejtues shtetasin turk A.U, 52 vjeç, gjetën në çantën personale të tij dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale më shumë se 5 mijë Dollarë dhe 4095 Euro të pa deklaruara në kufi. Policia gjeti edhe 350 pulla vizash të huaja të dyshuara si të falsifikuara.
Polica bëri me dije se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.