Kapshticë/ Bllokohen 25 mijë euro! Nuk ishin deklaruar në kufi. Procedim shqiptarit dhe bullgares
Policia Kufitare ka bllokuar në Kapshticë një shumë prej 25 mijë euro dhe ka proceduar penalisht dy persona që nuk I kishin deklaruar ato në kufi.
“Në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në P.K.K Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasin J. R., 46 vjeç, nga Memaliaj, rezident në Greqi dhe shtetasen bullgare D. D., 31 vjeçe, të cilët udhëtonin me mjetin e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, këtyre shtetasve iu gjet një sasi prej 25000 eurosh, të fshehura në trup, të cilat nuk i kishin deklaruar para autoriteteve” njofton Policia.
Veprimet në lidhje më këtë rast janë kryer nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në DVP Korçë, të cilët kanë filluar procedimin penal ndaj këtyre shtetasve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.