Kartoni jeshil – Kompanitë e sigurimit, marrëveshje me njëra-tjetrën
Kompanitë e sigurimit të jo-jetës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil.
Kartoni jeshil është produkt sigurimi për dëmet që drejtuesit e mjeteve mund të shkaktojnë në lëvizjet e tyre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja është paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës, për të kërkuar përjashtimin e saj nga ndalimi, në kuptimin ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Ndonëse përmbajtja e marrëveshjes nuk është bërë e ditur, pakti mes kompanive tregon edhe njëherë se tregu i produkteve të sigurimit të detyrueshëm vazhdon të karakterizohet nga një sjellje e koordinuar. Që nga viti 2005 e në vazhdim, kompanitë e sigurimeve kanë qenë disa herë objekt i hetimeve të
Autoritetit të Konkurrencës, kryesisht për praktikat e ndjekura në tregtimin e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Në vitin 2012, të gjitha kompanitë e sigurimit të jo-jetës u gjobitën për marrëveshje të ndaluar në dëm të konsumatorëve dhe konkurrencës në treg, pikërisht për rritjen e çmimit të sigurimit TPL.
Dy vjet më vonë, një tjetër hetim i kryer nga Autoriteti i Konkurrencës dha rezultate të ngjashme.
Për të shmangur pasoja, këtë herë kompanitë e sigurimeve kanë vendosur të kërkojnë paraprakisht miratimin e Autoritetit të Konkurrencës, që pritet të shprehet për marrëveshjen gjatë muajit shkurt.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.