Kashari me bulevard të ri! Veliaj: Urbanizimi do të prekë zonat që kanë mungesa në infrastrukturë
Kashari do të ketë shumë shpejt një bulevard të ri që do të lidhë Unazën e Tiranës së Re me rrugën “Tre Dëshmorët e Kombit”, duke rigjallëruar gjithë zonën, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ajo sociale. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e dy rrugëve “Migjeni” dhe “Kadri Roshi”, që do të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme . Teksa inspektoi fillimin e punimeve kreu i bashkisë, Erion Veliaj u shpreh se këto ndërhyrje në zonat si Kashari vijnë falë reformës territoriale.
“Deri para 3 vitesh, kjo ishte një zonë fshati, quhej Kashar, ndërkohë që realiteti ishte krejt ndryshe. Në letrat e bashkisë, kjo ishte një zonë me vetëm 7 mijë banorë, ndërkohë në realitet këtu jetojnë mbi 70 mijë banorë. Të njëjtin bulevard që shohim në qendër të Tiranës, pra bulevardi me 6 korsi, 2 për makinat nga secili krah dhe nga një autobusi në secilin krah, plus biçikletat, të njëjtën cilësi dhe standard do të kemi edhe këtu në Kashar” tha Veliaj.
Veliaj u ndal edhe tek çështja e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar duke theksuar se se ashtu si po ndërhyhet për të ndërtuar rrugën “Kadri Roshi” në Kashar, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Teatrin, për t’i dhënë kryeqytetit një godinë dinjitoze.
“Fabula që përfshihet në një emër si ai i të madhit Kadri Roshi përfshin në fakt edhe të gjithë punën që bëjmë në Bashkinë e Tiranës. Duke vënë dorë, gjërat përmirësohen, duke i lënë për nostalgji, gjërat degradohen. Po punojmë edhe në rrugën “Kadri Roshi”. Jam i sigurt se mund të ketë njerëz që për nostalgji thonë se rruga e aktorit të madh s’duhet të preket. Sot është në fakt një rrugicë, si monopat. Duke e kthyer në rrugë me standarde i bëjmë nder edhe emrit të Kadri Roshit. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin. Nëse nuk vëmë dorë është e kotë të ‘krenohemi’ për artistët e mëdhenj, nëse nuk arrijmë të çojmë amanetin e tyre deri në fund, për një qytet dinjitoz, për një teatër dinjitoz, për varreza dinjitoze apo për rrugë dinjitoze, që mbajnë emrat e tyre”, tha Veliaj.
Bulevardi “Migjeni” do të lidhet me një rrjet rrugësh, të cilat kanë nisur të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku siguroi se urbanizimi do të prekë edhe ato zona që kanë mungesa në infrastrukturë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.