Katalonja nuk frikësoi investitorët – Edhe pse ekonomi më e madhe se Greqia, nuk u krahasua me Grexit
Përpjekja e Katalonjës për pavarësi mund të jetë kriza më e keqe politike në dekada për Spanjën, megjithatë, nuk ka patur aq rëndësi sa Grexit, Brexit apo Frexit për investitorët e huaj. Zotëruesit e huaj të aksioneve dhe obligacioneve të Spanjës, kanë mohuar shpejtë krahasimet me krizën e borxhit sovran që goditi Eurozonën në vitet 2010-2012.
Edhe pse rajoni më i pasur i Francës ka një ekonomi më të madhe se Greqia, Portugalia dhe Finlanda, aktivet thuajse të pandryshuara në vlerë të Katalonjës dhe Spanjës kanë treguar se tregjet nuk janë shqetësuar shumë për pasojat e kësaj krize. Indeksi i titujve të kapitalit IBEX 35 ka rënë me 7% nga nivelet më të larta të vitit, megjithatë, performanca tregon ende për një rritje me 10% për të gjithë 2017-ën.
Yield-et e titujve 10-vjeçarë të qeverisë spanjolle si dhe primi i rrezikut ndaj benchmark-ut gjerman, janë më të ulëta se ç’kanë qenë në fillim të vitit. Kursi i këmbimit të euros nuk ka reaguar fare. Niveli i borxhit të Katalonjës, në rreth 77 miliardë euro, është sa çereku i Greqisë. 52.2 miliardë euro e kësaj shifre, i detyrohet Spanjës, 8.17 miliardë euro ndaj institucioneve financiare në vend, 6 miliardë ndaj pjesës tjetër të botës dhe 10 miliardë euro ndaj të tjerëve, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Spanjës.
Ekspozimi ndërkombëtar është shumë i vogël për të krijuar trazira në Eurozonë edhe nëse ndodh falimentimi i rajonit. Efekti ndaj Spanjës do të ishte gjithashtu i limituar. Bankat që kishin baza në Katalonjë, morën goditje gjatë Tetorit, por të dy institucionet kryesore, Banco de Sabadell dhe Caixa Bank, u zhvendosën jashtë rajonit dhe aksionet e tyre janë në rritje me 20% deri më tani për vitin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.