Katalonjë, “frenuesit” e pavarësisë – Mesazhi i bankave më i fortë se protestat, lëvizja e tyre e ngjashme me Brexit
Në Katalonjë, mesazhi i “heshtur” i bankave është më i fortë se ai që dëgjohet në protestat nëpër rrugë. Vendimi i Caixabank për të lëvizur bazën nga rajoni i pasur, që të qetësojë investitorët, ishte vetëm fillimi.
Më shumë se 1,300 kompani kanë transferuar tashmë bazat e tyre ligjore jashtë Katalonjës për shkak të pasigurive, sipas regjistrit të kompanive kombëtare.
Mesazhi është i qartë, ata që duan pavarësinë, duhet të përgatiten për vështirësitë e mëdha ekonomike.
Katalonja nuk është Mbretëria e Bashkuar dhe pavarësia e tyre nuk është Brexit. Megjithatë, një lëvizje e ngjashme e institucioneve financiare po ndodh edhe atje.
Thuajse 40 banka dhe institucione financiare po planifikojnë të transferohen nga Britania në Frankfurt për shkak të Brexit, duke vështirësuar negociatat mes dy palëve dhe duke bërë që Theresa May të kërkojë për një periudhë tranzicioni 2-vjeçare pas Brexit, në fjalimin e saj në Firence.
Nga ana tjetër e Atlantikut, Donald Trump premtoi të heqë reformën rregullatore të quajtur Dodd Frank, të adaptuar nga Demokratët në vitin 2010 për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe shmangur krizat e ardhshme, duke fituar pëlqimin e bankave në Wall Street.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.