Kategoria parësore e ish- të dënuarve politike – Çelet kësti i 11-të i dëmshpërblimit. 55 mln lekë për 70 përfitues
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka çelur këstin e njëmbëdhjetë të shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish- të dënuarit politikë të regjimit komunist për subjektet përfituese të kategorisë parësore.
Burime nga qeveria bëjnë të ditur se ministrja Anila Denaj ka firmosur urdhrin përkatës për çeljen e këtij kësti, përkatësisht Urdhrin nr. 217, datë 10.6.2019, me anë të të cilit ngarkohet Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, për zbatimin e tij.
Urdhri është firmosur në përfundim të likujdimit të këstit të 10-të për 75 subjekte përfituese të kategorisë parësore, nga 84 subjekte të përllogaritur në total.
Përfituesit e kategorisë parësore, të cilët presin t’ju disbursohet ky këst, përllogariten të jenë 70 në total, 20 prej të cilëve i likujdohet e plotë vlera e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në këstin e 11-të.
Fondi në dispozicion, i cili do të përdoret për likujdimin e këtij kësti, kap vlerën prej 55.216.887 lekë, ose e thënë ndryshe 15% e fondit total të miratuar të mbetur në dispozicion për këtë vit, i cili do të përdoret për likujdimin e këstit të 11-të.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.