KE analizon ekonominë shqiptare – Nuk ndryshojnë projeksionet, përmirësim i lehtë në T3
Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të tretë të vitit për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate, ku analizon ecurinë e ekonomisë së të gjitha vendeve. Në kapitullin dedikuar vendit tonë, krahu ekzekutiv I Bashkimit Europian e vendos theksin kryesisht te situata e krijuar nga pandemia, por edhe te integrimi europian i vendit. Duke i`u referuar edhe progresraportit të publikuar së fundmi, Komisioni Europian thekson se, Shqipëria ka bërë progres dhe është e përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. “Ekonomia ka bërë gjithashtu njëfarë progresi në drejtim të kapaciteteve për të përballuar presionet e konkurrencës si dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Europian”-thuhet më tej mes reshtave.
Sa I përket ecurisë ekonomike ndërkohë, raporti I Komisionit Europian për vendet kandidate vë theksin te fakti se në tremujorin e tretë të vitit është vënë re se indikatori I ndjeshmërisë ekonomike është përmirësuar lehtë karahasuar me tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar një përmirësim të besimit të biznesit, sidomos në ndërtim, por se nga ana tjetër mbetet ende larg mesatares afat-gjatë.
Sa i përket sektorit financiar, Komisioni Europian thekson rënien e aktivitetit kreditues, sidomos në euro, si dhe rritjen e depozitave, me mbi 5%.
Raporti nuk përmban asnjë projeksion të ri për ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke lënë në fuqi ato të pranverës, të cilat në kushtet aktuale, ku shumëçka ka ndodhur me ecurinë e muajve, nuk kanë më vlerë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.