KE arsyeton “PO”-në – Progres në rekomandimet kryesore të Qershorit 2018
Komisioni Europian ka publikuar raportin e progresit të Shqipërisë, nga ku edhe bazohet rekomandimi për çeljen e negociatave mes Brukselit dhe vendit tonë.
Në këtë raport analizohen të 33 kapitujt sa i përket përgatitjes së Shqipërisë për të qenë pjesë e unionit. Në Qershorin e vitit të kaluar Këshilli vendosi të shtyjë me një vit çeljen e negociatave, dhe gjatë këtij viti, Shqipëria ka vazhduar të implementojë reformat që janë jetësore për agjendën europiane, veçanërisht në arritjen e rezultateve konkrete në kushtet e identifikuara nga përfundimet e këshillit në Qershor të 2018-ës për hapjen e negociatave.
Komisioni Europian ka vijuar që të monitorojë ngushtësisht situatën përgjatë këtij viti në këto drejtime. Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar në atë që lidhet me reformën në administratën publike.
Përpjekje janë bërë në shumë drejtime, çka ka rezultuar në progres në eficencën dhe transparencën e shërbimeve publike, si dhe përmirësimin e kornizës rregullatore, si dhe procedura më transparente rekrutimi. Në drejtim të sistemit të drejtësisë, Komisioni Europian vlerëson se, Shqipëria ka një farë niveli përgatitje. Vlerësime merr edhe implementimi i deritanishëm i reformës në drejtësi, ku progresi vlerësohet si i mirë.
Rezultatet janë konkrete në këtë drejtim, çka e ka bërë gjyqësorin më të pavarur, më të besueshëm dhe më profesional. Edhe në drejtim të luftës ndaj korrupsionit progresi i bërë vlerësohet si i mirë nga Komisioni Europian. Lufta ndaj korrupsionit lidhet ngushtë edhe me krijimin e organeve të reja të drejtësisë. Pra, edhe në këtë drejtim, Komisioni Europian jep vlerësime mjaft të mira.
Gjithsesi, në përgjithësi, korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha si dhe mbetet një çështje për t`u shqetësuar, thotë në fund të paragrafit, progres-raporti për Shqipërinë. Edhe progresi në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar vlerësohet i kënaqshëm.
Ndër masat e marra vlerësohen operacionet e policisë, bashkëpunimi me organet europiane, fushata kundër kanabisit, etj. “Këto hapa përfaqësojnë progres të ndjeshëm, më arritjen e rekomandimeve të vitit të kaluar në përmirësimin e rezultateve në këtë drejtim”-thuhet më tej. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, sidomos për të luftuar pastrimin e parave dhe konfiskimin e aseteve të krimit dhe pasurive të pajustifikuara, vijon Komisioni Europian.
Veç kritereve të lartpërmendura, që janë edhe rekomandimet e bëra një vit më parë nga Këshilli, si një prej arsyeve se përse negociatat u shtynë me një vit, Komisioni Europian vlerëson me nota pozitive edhe performancën ekonomike.
Në drejtim të kriterit politik ndërkohë, theksi vihet te kriza politike që ka përfshirë vendin. Pasi vlerëson situatën aktuale, Brukseli thotë: “Partitë opozitare duhet të ri-ingranohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike”. Rreth 115 faqe vlerësime për Shqipërinë nga Komisioni Europian i referohen periudhës Mars 2018-Mars 2019.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.