KE do refuzojë buxhetin italian – La Repubblica: Nëse Italia injoron rekomandimet, do gjobitet
Komisioni Europian pritet të refuzojë planet e buxhetit të Italisë në muajin Nëntor dhe të hapë një procedurë kundër llogarive publike të vendit në muajin Shkurt, sipas të përditshmes, La Repubblica. Javën e kaluar, koalicioni populist propozoi një deficit për vitin 2019 në 2.4% të Produktit të Brendshëm Bruto, që është sa trefishi i objektivit të administratës së mëparshme.
Duke përmendur burime, La Repubblica bëri të ditur se Brukseli ka pak hapësirë për manovra ndaj një objektivi të tillë dhe shtoi se Komisioni do të duhet ta refuzojë buxhetin. Javën e kaluar, Komisioni Europian bëri të ditur se do të vlerësojë planet e projekt-buxheteve për 2019-ën për të gjithë anëtarët e Eurozonës, përpara prezantimit formal më datë 15 Tetor. Diplomatët në Bruksel kanë thënë se mendojnë ende që forcat e tregut do të bindin Italinë që të ndryshojë planet e shpenzimeve, përpara se të dërgohen në mënyrë formale te Komisioni Europian.
Është ende e paqartë nëse Komisioni do të zgjedhë të kthejë për herë të parë buxhetin mbrapsht në Romë, një lëvizje që do të shtonte krizën nëse Italia injoron rekomandimet. Në këtë rast, Komisioni do të hapë procedurat e sanksioneve kundër Romës, por kjo do të duhet të presë deri në Pranverë, për shkak se vendimet disiplinuese merren pas të përditësimit të të dhënave përfundimtare në Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.