KE flet për pasiguri – Ekonomia shqiptare tkurret me 4.8% këtë vit, rimëkëmbja në varësi të masave
Në parashikimin ekonomik europian të pranverës, Komisioni Europian analizon gjerësisht edhe Shqipërinë. Kjo është hera e parë që Shqipëria përfshihet në këtë raport periodik, duke qenë se tashmë ka marrë statusin kandidat. Në këtë raport, Komisioni sinjalizon se, ekonomia këtë vit do të jetë në recesion, në rënie me 4.8%. Vitin e ardhshëm projektohet një rimëkëmbje e lehtë, në masën 4.2%.
Edhe Komisioni Europian i bashkohet kështu institucioneve të tjera, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo edhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. “Shqipëria u godit nga pandemia Covid-19 në Mars të 2020-ës, ndërkohë që rritja morri një tjetër goditje nga tërmeti shkatërrues i vitit të kaluar. Ekonomia projektohet të kontraktohet më 4.8% në 2020-ën, pasi masat kufizuese të jashtme dhe të brendshme do të godasin konsumin dhe turizmin. Recesioni në Bashkimin Europian do të japë efekt edhe te remitancat si dhe te flukset e investimeve të huaja direkte.
Borxhi publik projektohet të rritet përkohësisht në 75% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thotë Komisioni Europian për Shqipërinë. Sa i përket projeksionit të vitit të ardhshëm, në raport nënvizohet fakti se, ky parashikim është i pasigurtë pasi varet nga kohëzgjatja e masave shtrënguese si dhe elasticiteti i sipërmarrjeve gjatë krizës. Sa i përket konsumit privat, Komisioni Europian parashikon një rënie në masën 4.3% këtë vit ndërkohë që investimet pritet të bien me 7%.
Eksportet parashikohet të bien me 25%. Turizmi pritet të ketë një vit thuajse zero. Bujqësia ndërkohë nuk do të impaktohet shumë nga kriza, duke qenë se karakterizohet kryesisht nga sipërmarrje familjare. Manifaktura, ndërtimi dhe industria ndërkohë pritet të rimëkëmben gradualisht pas daljes nga izolimi, thotë ndër të tjera krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.