KE i thotë jo Holandës për vizat – Zëdhënësi i KE, për TV Scan: “S`janë përmbushur kriteret për rikthimin e vizave”
Në një përgjigje ekskluzive për Scan, Tove Ernst, Zëdhënës i Komisionit Europian për çështjet e Migrimit, punët e brendshme dhe nënshtetësinë, sqaron se, “Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin e disponueshëm, si dhe të dhënat e rëndësishme, Komisioni vlerëson se, në kushtet aktuale nuk ekzistojnë rrethanat për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave, pasi kushtet nuk janë përmbushur”.
Ndër të tjera në përgjigjen e Komisionit Europian për “Scan”, thuhet gjithashtu se, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e kritereve kyç të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe vendet e tjera që përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Qeveria holandeze, pas kërkesës së bërë nga Parlamenti i vendit i kërkoi zyrtarisht Komisionit Europian që të pezullonte regjimin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Sipas Holandës, qytetarët shqiptarë kanë përfituar dhe nga ky liberalizim, duke abuzuar me kërkesat për azil dhe shtrirjen e aktivitetit të tyre kriminal, duke argumentuar edhe se përse duhen rikthyer vizat. Por, mesa duket, për Komisionin Europian, situata nuk është aspak ashtu siç e pasqyron Holanda, pasi kushtet për rikthimin e vizave nuk janë përmbushur aspak.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.