KE paralajmëron Italinë: Ulni borxhin publik, ose do merrni masa disiplinore
Komisioni Europian pritet t`i japë një paralajmërim zyrtar Italisë ditën e Mërkurë, duke i kujtuar se mund të përballet me masa disiplinore në rast se nuk ndërmerr veprime për të ulur borxhin publik.
Këto masa disiplinore do të shmangen vetëm nëse Roma zyrtare do të ndërmarrë shkurtime shpenzimesh. Paralajmërimi vjen vetëm pak kohë pas publikimit të projeksioneve të fundit për ekonominë e bllokut nga vetë Komisioni Europian.
Nga këto projeksione rezulton se, borxhi publik i Italisë do të ngjitet në 133.3% gjatë këtij viti, çka përbën edhe rekord historik. Në vitin 2016, norma e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto fiksohej në 132.8%.
Rregullat e përbashkëta europiane nënvizojnë se, secili prej vendeve anëtare duket të ulë borxhin publik çdo vit me 3.6% të Prodhimit te Brendshëm Bruto.
Në një letër dërguar Komisionit më 7 Shkurt, Italia angazhohej të ndërmerrte masa për të ulur defiçitin strukturor me 0.2%.
“Ne duhet të shohim se ky angazhim është konkret”, deklarojnë zyrtarë të lartë të krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian. Mes Italisë dhe Brukselit ka pasur vazhdimisht përplasje sa i përket respektimit të rregullave të përbashkëta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.