KE ul projeksionet për Europën – Ekonomitë më të mëdha do të ngadalësohen këtë vit
Komisioni Europian shkurtoi projeksionet për ekonominë e Eurozonës këtë vit dhe tjetrin, për shkak të një ngadalësimi në ekonomitë më të mëdha të rajonit, që pritet të vijë nga tensionet tregtare në të gjithë botën dhe rritja e borxhit publik. Në projekisonet tremujore, krahu ekzekutiv i BE rishikoi gjithashtu vlerësimet për inflacionin në Eurozonë, që pritet poshtë projeksioneve të Bankës Qendrore Europiane, gjë që mund të ndërlikojë planet e rritjes së normave të interesit këtë vit.
Komisioni deklaroi se rritja ekonomike e Eurozonës do të ngadalësohet në 1.3% këtë vit nga 1.8% në 2018-ën, por pritet të rimëkëmbet në 1.6% në vitin e ardhshëm. Projeksionet e Komisionit Europian janë më pak optimiste krahasuar me raportin e Nëntorit, ku Brukseli vlerësoi një normë të rritjes prej 1.9% këtë vit dhe 1.7% në tjetrin. Për Bashkimin Europian me 27 vende, pasi Britania pritet të dalë këtë vit, ekonomia do të ngadalësohet në 1.5% këtë vit dhe 1.8% në tjetrin. Gjermania, ekonomia më e madhe në Europë, pritet të ngadalësohet në 1.1% këtë vit, nga 1.5% që rezultoi në vitin e kaluar.
Franca, Italia, Spanja dhe Holanda pritet gjithashtu të humbasin vrull, ndërsa Italia do të jetë ekonomia me rritjen më të ngadaltë në të gjithë Europën, me vetëm 0.2% këtë vit. Komisioni përmendi tensionet tregtare dhe ngadalësimin kinez si faktorët kryesore të ngadalësimit të ekonomisë. Megjithatë edhe shqetësimet mbi qëndrueshmërinë e borxhit pritet të ndikojnë, kryesisht në Itali. Duke shtuar vështirësitë te Banka Qendrore Europiane, Komisioni pret që inflacioni në Eurozonë të bie në 1.4% këtë vit, poshtë normës së institucionit në Frankfurt prej 1.6% dhe poshtë objektivit prej afër 2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.