KE vlerëson ekonominë shqiptare – Paralajmëron për rënien e investimeve, Turqia ndikim minimal te bankat
Komisioni Europian ka publikuar raportin mbi ecurinë e vendeve kandidate për tremujorin e tretë të këtij viti. Në analizën për ecurinë e ekonomisë shqiptare, komisioni, përveç zhvillimeve pozitive përmend edhe ngadalësimin e investimeve, për shkak se projektet e mëdha infrastrukturore janë drejt përfundimit. Formimi i kapitalit bruto, i cili ka përfituar nga investimet e mëdha në sektorin e energjisë gjatë tremujorit të parë, u ngadalësua në 1.1%, me bazë vjetore, nga 4.5% që ishte rritja një vit më parë.
Gjithashtu, edhe shpenzimet qeveritare ranë me 3.4% në tremujorin e dytë. Sipas raportit, tregu i punës ka reflektuar zgjerimin ekonomik, duke rënë në 12.9% gjatë tremujorit të dytë, niveli më i ulët që nga viti 2012. Megjithatë, papunësia tek të rinjtë vijon të jetë e lartë, por ka gjithashtu një tendencë në rënie. Gjatë tremujorit të dytë, papunësia për këtë kategori ra në 22.6% nga niveli maksimal prej 34% që ishte në vitin 2015. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 7% të PBB-së, nga 7.9% në tremujorin e parë, për shkak të ngadalësimit të importeve dhe rritjes së eksporteve. Huadhënia në sektorin privat mbetet e dobët, si rrjedhojë e kërkesës së ulët dhe shtrëngimit të kushteve të dhënies së kredive nga bankat.
Komisioni Europiane deklaron se, ekspozimi i sistemit bankar vendas ndaj Turqisë është i ulët, me vetëm 6.6% të aseteve që janë të lidhura me kompanitë turke. Në anën tjetër, të ardhurat totale u rritën me 3.1% me bazë vjetore, për 8 muajt e 2018, 1% më pak se plani, kryesisht për shkak të forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Sipas raportit, borxhi publik ra në 69.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në qershor, nga 70% që ishte në fund të vitit 2017.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.