Këmbimi valutor/Leku “lëshon pe”, zhvlerësohet ndaj dollarit dhe paundit – Euro ndalet në 126.4
Monedha vendase ka lëshuar terren ndaj një pjese të valutave të huaja ditën e sotme në tregun e këmbimit valutor. Dollari amerikan, stërlina, dollari australian dhe franga zvicerane janë rritur ndaj lekut, ndërkohë që euro nuk ka patur luhatje duke qëndruar në nivelet më të ulëta të javës.
Dollari është rritur 0.4 lekë për njësi, duke arritur në kursin e 108 lekëve në blerje dhe 108.9 lekëve në shitje. Ky forcim i valutës së SHBA reflekton ecurinë e dollaritë në tregje dhe atmosferën në arenën ndërkombëtare pas hapit pozitiv në marrëdhëniet me Korenë e Veriut.
Frymëmarrja ka edhe për paundin britanik, i cili është rritur lehtë me 0.3 lekë për njësi. Edhe pse tashmë në nivelin e 144 lekëve, stërlina ndodhet shumë larg niveleve normale të muajve të kaluar.
Dollari australian është rritur me 0.2 lekë për njësi, franga zvicerane ka fituar 0.4 pikë ndaj lekut, ndërsa dollari kanadez ka mbetur i paluhatur në raport me vlerat e ditës së enjte.
Sa i takon vetë euros, në vijim pritet një betejë e vështirë, për shkak se qeveria e ri euroskeptike në Itali mund të kërkojë të rivendosë lirat në vend të monedhës së përbashkët europiane. Aktualisht, një euro këmbehet për 126.4 lekë në blerje dhe 127.2 lekë në shitje. Kjo e mban euro në tregun vendas në nivele të ulëta rekord.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.