Kërkesat për Financat – Prodhuesit: Lehtësoni procedurat doganore
Çështje të lidhura me procedurat doganore me një bazë më të gjerë, të vlerësuara nga praktika e përditshme e përballjes së sipërmarrjes me administratën fiskale. Kjo është ajo çka ka përmbledhur në një paketë kërkesash “Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë”, drejtuar Ministrisë së Financave.
Sipas kësaj pakete, këto çështje janë evidentuar nga sipërmarrësit prodhues, anëtarë të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe konsultuar me ta, të shprehura drejtpërdrejt në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë dhe Dispozitat e reja zbatuese.
Prodhuesit kërkojnë të unifikohet me ligjin për procedurat tatimore, sipas të cilit subjekti detyrohet vetëm të vendosë garanci bankare mbi detyrimin e pretenduar nga administrata.
Po kështu, bordi që shqyrton ankimimet për administratën tatimore, të shqyrtojë edhe ato për administratën doganore.
Propozim: Të mundësohet vetë-korrigjimi i deklaratave doganore në rastin kur nuk ka efekte financiare, duke eliminuar aplikimin e gjobave.
Propozim: Tarifa e skanimit të paguhet për kontenier dhe jo për çdo deklaratë doganore.
Propozim: Të unifikohen kodet e nomenklaturës së mallrave me ato që përdorin vendet e BE.
Propozim: Bazë për përcaktimin e detyrimeve të jene faturat doganore. Meqenëse ligji parashikon përdorimin e çmimeve të referencës kur dokumentet e paraqitura nuk garantojnë besueshmëri, të kërkohet ndaj subjekteve dokumentacioni shtesë i nevojshëm për të demonstruar besueshmërinë e dokumenteve të paraqitura. Të ketë transparencë të plotë ky proces si edhe procesi i caktimit dhe ndryshimit të çmimeve të referencës.
Propozim: Të bashkohet kontrolli fizik i autoritetit doganor me atë të kontrollit me skaner, si dhe ose të instruktohen operatorët e skanerit dhe të autorizohen si doganierë, ose kontrolli me skaner të bëhet në prezencën e doganierëve të kontrollit fizik, duke evituar humbje kohe dhe kosto për transportuesit, subjektet, agjentët doganorë dhe doganat e shtetit.
Propozim: Të vendoset “time-limit” rreth 4 orë për përfundimin e procedurave doganore, duke nisur nga momenti i paraqitjes se dokumentacionit doganor. Pas kalimit të kësaj kohe, nëse praktika nuk është kaluar, të kalojë automatikisht. Doganieri duhet të mbyll praktikën brenda kohës, ose ta bllokojë atë në sistem, duke dhënë edhe motivin e saktë të veprimit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.