KESH e mbyll me humbje – Thatësira, bilanc negativ 1.1 mld lekë për 2017-ën
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka mbyllur me humbje vitin 2017.
Sipas bilancit vjetor të kompanisë së gjenerimit të energjisë niveli i humbjeve u regjistrua në rreth 1.1 miliard lekë, ndryshe nga një vit më parë ku u regjistrua një bilanc pozitiv prej 1.7 miliard lekë. Kjo situatë ishte e pritshme, për shkak të shpenzimeve të kryera për blerje të energjisë, si pasojë e mungesës së reshjeve.
Ndërkohë që, në krahasim me bilancin 9-mujor të KESH një përmirësim të të dhënave, duke qenë se për periudhën janar-shtator niveli i humbjeve u regjistrua në 4.7 miliard lekë. Përmirësimi i treguesve duket se i atribuohet shitjes së energjisë elektrike përgjatë muajit dhjetor, çka i siguroi kompanisë të ardhura të konsiderueshme.
Paralelisht, kompania është duke vijuar shitjen e energjisë, ndërsa ka hapur edhe tenderin e fundit për një sasi prej 333 mijë MwH.
Ndërkaq, nëse i referohemi bilancit të energjisë, vihet re qartë edhe sasi më e ulët e prodhuar, në krahasim me vitin 2016. Kështu, sipas të dhënave zyrtare në 2017-ën u prodhuan rreth 3.5 milion MwH, ndërsa për një vit më parë kjo sasi ishte 6.2 milion MwH, apo rreth 50% më e lartë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.