Këshillë për punëdhënësit: Mos e zbukuroni ofertën tuaj
Shumë menaxherë punësimi nuk u thonë kandidatëve të vërtetën lidhur me punën që ata ofrojnë. Logjika e tyre është se nëse aplikantët zbulojnë se sa e vështirë ose e mërzitshme do të jetë puna e tyre ata do të largohen. Por ky është një gabim sepse për të punësuar dikë në mënyrë efektive, duhet të jeni të ndershëm në lidhje me atë se çfarë ofroni në firmën tuaj.
Procesi i intervistimit duhet të jetë rreth gjetjes së përshtatjes më të mirë për të dyja palët. Nëse një kandidat mendon se nuk përputhet me rolin apo kompaninë tuaj ndoshta ata kanë të drejtë. Duke i dhënë atyre mundësinë për të refuzuar postin, ju do të mund të evitoni humbje kohe të panevojshme për trajnime, dokumente dhe detaje të tjera kur sidoqoftë në fund sërish ai mund të zgjedhë të largohet para kohe. Kostot për një punësim të gabuar janë realisht shumë të rëndësishme.
Si pasojë, është e këshillueshme për firmat që përpara se të fillojnë intervistat me aplikantët të trajnojnë punonjësit e tyre që realizojnë këtë proces, që të lejojnë pyetjet e dyanshme për të pasur në fund një panoramë të qartë të punës për të dyja palët. Gjithashtu në epokën e Glassdoor dhe LinkedIn, kandidatët kanë mundësinë të hulumtojnë të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën e kompanisë suaj përpara intervistimit. Nëse ju e shtrembëroni të vërtetën duke u përpjekur të paraqisni vetëm imazhin pozitiv të firmës, ata do ta kuptojnë këtë shumë shpejt.
Në vend të kësaj, organizatat e ‘zgjuara’ e përdorin intervistën për të treguar se ato mund të jenë transparente dhe se presin të njëjtin sinqeritet nga punonjësit. Kjo është një mundësi për të vendosur tonin për marrëdhënien, ndaj është mirë të tregoni modelin e duhur që në fillim. Për shembull, mund të flisni përse punonjësit tuaj më të lumtur duan të punojnë për ju por edhe realitetin mbi vështirësinë e punës apo pengesat që mund të hasen në të. Hulumtimet tregojnë se pyetja e drejtpërdrejtë dhe e hapur është mënyra më e mirë për të nxjerrë përgjigje të ndershme. Për fat të keq, shumë prej nesh në vend të kësaj tentojnë të përpiqen të lexojnë mes linjave të bisedave të intervistimit duke nxjerrë konkluzione personale për preferencat e një kandidati.
Burimi: HBR
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.