Këshilli Ekonomik Kombëtar – Kalimi te Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rrit rolin e biznesit
Komuniteti i biznesit duhet të jetë i përfaqësuar në strukturat vendimmarrëse. Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, Sonila Qato, gjatë prezantimit në seancën plenare të ndryshimeve në projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e KEK”, u shpreh se kjo strukturë është mbështetur nga sipërmarrja vendase dhe e huaj, si dhe nga institucione ndërkombëtare si FMN apo BB. Sipas Qatos, Këshillit Ekonomik Kombëtar është struktura më e lartë këshilluese, ndërkohë që do të rrisë zërin e sipërmarrjes në politikat ekonomike.
“Ky ligj është hartuar në mënyrë që Këshilli Ekonomik Kombëtar të vendosi raporte dhe lidhje pune të drejtpërdrejta me qeverinë dhe me sipërmarrjen duke institucionalizuar kështu një strukturë të përbashkët të punës midis sipërmarrjes dhe qeverisë. Këshilli Ekonomik Kombëtar ka funksionin e tij këshillues për qeverinë dhe për Kuvendin e Shqipërisë për gjetjen e rrugëve më të përshtatshme për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe të punësimit në vend dhe krijimin e një kuadri ligjor nxitës për ekonominë, biznesin dhe investimet në vend.”
KEK nuk është problem se ku do jetë, por është vetë qeveria problemi madh i biznesit dhe i vendit, është shprehur Deputeti i PD, Edmond Spaho.
“Për Këshillin Ekonomik në fakt ka shumë për të diskutuar pasi pretendon që të përmirësojë ambientin e biznesit, në një kohë që biznesi ka njohur vetëm rritje taksash, largim të investitorëve të huaj, largim të kapitaleve vendase, rreth 60 milionë euro investime vitin e shkuar jashtë vendit si dhe financime të bankave jashtë vendit për rreth 700 milionë eurosh. Por, në fakt këtu nuk është Këshilli Ekonomik, është vetë qeveria.”
Në projektligjin e paraqitur nga qeveria synohet që sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar të vihet në varësi dhe në funksion të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ndërkohë ndryshimet e propozuara nuk mbartin efekte financiare për buxhetin e shtetit, përveç efekteve financiare për pagat e personelit të sekretariatit teknik.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.