Këshilli i Investimeve mblidhet të hënen, pritet të diskutohet për call center-at
Këshilli i Investimeve pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës këtë të hëne. Referuar kalendarit të mbledhjeve të këtij këshilli, temë diskutimi e mbledhjes do të jetë “Disponueshmëria e Fuqisë Punëtore të Kualifikuar në tregun e punës – ‘Business Case’ i sektorit të BPO-ve që ofron Shqipëria për investitorët”, raporton “SCAN”. Në listën e shërbimeve të nënkontraktuara (PBO) përfshihen edhe shërbimet call center, që luajnë një rol të konsiderueshëm në punësimin e të rinjve. Ndaj, pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe vendimi i qeverisë italiane që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive call center, çka ka ndikuar edhe në Shqipëri e mund të ndikojë në të ardhmen. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur nëse axhenda e diskutimeve do të parashikojë programin e investimeve 1 miliard euro të njoftuar nga qeveria pak javë më parë.
Sektori i shërbimeve të nënkontraktuara në fusha të ndryshme (BPO) konsiderohet se mbart një potencial që mund të jetë një “histori suksesi” në drejtim të investimeve (vendase apo te huaja), në vitet që vijnë.
Industria e BPO-ve në Shqipëri filloi rreth 10 vjet më parë dhe ndërkohë është shndërruar në një destinacion për shërbime të ndryshme. Numri i madh i të diplomuarve universitarë dhe të kualifikuar, moshë e re, kosto konkuruese të punës dhe mjedis i favorshëm i biznesit, si dhe afërsia me tregjet e BE-së, janë avantazhe që ofron Shqipëria në këtë industri. Edhe pse vendi ka përvojë të konsiderueshme, potenciali e Shqipërisë mbetet ende i pashfrytëzuar në kapacitet të plotë. Kjo industri ka rreth 300 qendra prezente në vend, me një gamë të gjerë të shërbimeve të ofruara dhe mbi 20.000 të punësuar.
Më herët, Këshilli i Investimeve ka përgatitur një pyetësor i cili synon të vlerësojë nevojat e kompanive ndaj gatishmërisë së tregut të punës në Shqipëri për t’iu përgjigjur hapësirave për investime në sektor.
Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Ai ka në përbërjen e tij përfaqësues të lartë të qeverisë, përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe agjencitë shumëpalëshe.
Kalendari i mbledhjes: https://www.investment.com.al/sq/kalendari-i-mbledhjeve-2/
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.