KiE rezolutë për pronat – Komiteti i Ministrave: Formula e kompensimit funksionale dhe efektive
Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjen e datës 19 shtator 2018, miratoi Rezolutën për Shqipërinë, me konkluzionin se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv.
Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.
Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikëqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave, duke përfshirë këtu dhe planin e masave të vendimit pilot të Manushaqe Putos e të tjerë.
Në këndvështrimin e Komitetit të Ministrave, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas vendimit pilot të Manushaqe Putos, për ngritjen e mekanizmit efektiv të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.