Kina i përgjigjet SHBA, 7% rritje të buxhetit për ushtrinë
Kina do të rrisë shpenzimet ushtarake me 7 për qind këtë vit. Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Donald Trump deklaroi për një rritje me 10 për qind të buxhetit për mbrojtjen në SHBA.
Sipas qeverisë kineze kjo rritje është e domosdoshme për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon. Ndonëse rritja në buxhet është më e vogël se ajo e SHBA, shumë ekspertë mendojnë se shifrat mund të jenë edhe më të mëdha.
Tashmë shpenzimet totale për ushtrinë do të zënë 1.3% të GDP-së së parashikuar për vitin 2017, çka qëndron në të njtëtat nivele si në vitet e kaluara, sipas zëdhënësit të qeverisë kineze Fu Ying.
Shifrat ekzakte do të jepen nga kryeministri kinez Li Keqiang, kur t’i adresohet Kongresit Kombëtar Popullor ditën e diel.
Kina ka modernizuar dhe investuar në forcat e armatosuara, falë edhe zgjerimit të ekonomisë. Imazhet satelitore kanë treguar gjithashtu se Kina ka “krijuar” disa ishuj në Detin Jugor të Kinës, të cilët funksionojnë si baza ushtarake.
Armatosja e Kinës ka detyruar edhe vende të tjera aziatike si Japonia të rrisin konsiderueshëm shpenzimet për mbrojtjen, nga rreziku i konflikteve territoriale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.