Kina izolon 40 milion persona/ Bllokon transportin, udhëtimet dhe ndërton spitale. Vdekjet rriten në 25
Kina ka shtuar masat për të përmbajtur virusin që ka vrarë 25 persona dhe infektuar mbi 800 deri më tani, duke pezulluar transportin publik për 10 qytete, ndaluar udhëtimet për 40 milionë njerëz dhe fortifikuar spitalet që të trajtojnë të infektuarit. Java e pushimeve të Vitit të Ri nisi ditën e Premte dhe shtoi shqetësimet për rritjen e normës së infektimit, ndërkohë që qindra milionë kinezë udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit. Parku i lojërave i Shangait, që ka një kapacitet për 100,000 persona, u mbyll gjithashtu.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se koronavirusi i ri përbën një emergjencë për Kinën, por nuk e shpalli epideminë si një problem ndërkombëtar. Ndërkohë që të gjithë rastet e vdekjeve kanë qenë në Kinë, virusi është identifikuar edhe në Tajlandë, Vietnam, Singapor, Japoni, Korenë e Jugut, Tajvan dhe Shtetet e bashkuara. Zyrtarët thonë se ka shumë gjasa që edhe Britania të ketë raste të infektimit. Vuhani, një qytet prej 11 milionë njerëz dhe Huanggangu, me 7 milionë banorë, u kthyen në karantinë, ndërkohë që trenat, fluturimet dhe rrugët kryesore ishin mbyllur. Vuhani po ndërton një spital me 1,000 krevate për të infektuarit dhe synon ta ketë gati në nisje të Javës së ardhshme.
Virusi i panjohur nuk ka një kurë dhe mund të përhapet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Simptomat përfshijnë temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe kollitje. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se shumica e personave të vrarë nga virusi ishin në moshë të thyer dhe me sëmundje të tjera të mëparshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.