Kina kërkon të shmangë “luftën” – Pekini telefonon Washingtonin, ka ende vend për bisedime
Në një lidhje telefonike, zv.kryeministri kinez, Liu He, i deklaroi sekretarit amerikan të thesarit, Steven Mnuchin, se Kina do të mbrojë interesat e saj. Vendosja e tarifave në vlerën e 60 mld dollarëve mbi importet e produkteve kineze ka bërë që Pekini zyrtar të reagojë ashpër, duke e bërë të pashmangshme fillimin e një lufte tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës sot.
Që prej vendosjes së tarifave nga Donald Trump, ky është kontakt i nivelit më të lartë mes dy gjigandëve. Përshkallëzimi i tensioneve çoroditi edhe tregjet e kapitalit në çdo cep të globit. Gjithsesi, Pekini zyrtar është ende i mendimit se dy vendet mund të gjejnë sërish gjuhën e arsyes në lidhje me këtë çështje dhe të punojnë së bashku për të mbajtur të qendrueshme marrëdhëniet tregtare.
Zyrtarë të administratës amerikane ndërkohë kanë arritur në përfundimin se Kina aplikon praktika tregtare jo të ndershme duke detyruar investitorët amerikanë që t`i dorëzojnë teknologjinë kyç firmave kineze. Por, sipas zv.kryeministrit kinez, ky raport investigativ shkel rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe nuk është në interesin e asnjërës palë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.