“Kina mund të shmangë krizën e Evergrande” – ADB: Ka mjete për të parandaluar një krizë botërore financiare
Kina ka financa dhe mjete politike të mjaftueshme për të parandaluar zhvilluesin e pronave të paluajtshme Evergrande që të shkaktojë një krizë botërore financiare, sipas Bankës Aziatike për Zhvillim. Megjithatë, sipas bankës, problemet e Evergrande, vënë në dukje rolin e madh që ka luajtur inflacioni i çmimit të aktiveve tek rritja e shpejtë ekonomike e kinës dhe se mund të ketë pasoja për financat e qeverive rajonale dhe konsum.
“Nuk mendoj se kriza e Evergradne do të shkaktojë një krizë botërore si ajo e shkaktuar nga kolapsi i Lehman Brothers”- tha presidenti i Bankës Aziatike për Zhvillim Masatsugu Asakawa. Autoritetet kineze po tregojnë gatishmëri për të përmbajtur efektet ngjitëse nga kolapsi i mundshëm i Evergrande dhe banka qendrore po injekton likuiditet të mjaftueshëm afat-shkurtër për tregjet. Evergrande ka gjithashtu mjaftueshëm zotërime në aktive që mund të ç’bllokojë për të bërë pagesat, sipas bankës.
Kriza e Evergrande vë në dukje varësinë e madhe të ekonomisë kineze tek tregu tejet i nxehtë i pronave dhe ngjan me flluskën e aktiveve të Japonisë në fund të viteve 80’. Rrëzimi i tregut të pronave mund të godasë qeveritë rajonale të Kinës dhe familjet që janë varur nga zotërimet në prona për të financuar borxhet.
“Na duhet të monitorojmë me kujdes ndikimin tek financat e qeverive rajonale dhe familjet”- tha drejtori i bankës. Me detyrime në 305 miliardë dollarë, Evergrande ka nxitur shqetësime se problemet kompanisë mund të përhapen përmes sistemit financiar të kinës dhe të trondisin tregjet botërorë, pavarësisht se dëmi deri më tani është përqëndruar tek sektori i pronave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.