Kina refuzon akuzat e SHBA – “Washingtoni të ndalojë provokimet për praktikat tregtare”
Kina ka refuzuar akuzat e reja të Shteteve të Bashkuara për praktikat e padrejta tregtare dhe i bëri thirrje Washingtonit që të ndalojë provokimet, pak ditë përpara takimit të liderëve të të dyja vendeve.
Presidenti kinez Xi Jinping, do të zhvillojë bisedime me presidentin Donald Trump gjatë samitit të G20 në Argjentinë në fund të këtij muaji. Ministria e Tregtisë në Kinë deklaroi se është shqetësuar nga raporti i administratës së Trump këtë javë, që thotë se Kina ka dështuar të ndryshojë praktikat e padrejta tregtare.
Sipas përfaqësuesve të ministrisë së Tregtisë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë akuza të papranueshme kundër Kinës. Zbulimet e raportit u publikuan pas një hetimi të Shteteve të Bashkuara, që shqyrton pronën intelektuale të Kinës dhe politikat e transferimit të detyrueshëm të teknologjisë.
Sipas palës kineze, raporti reflekton veprime të njëanshme nga Shtetet e Bashkuara, që bien ndesh me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Kina po vlerëson gjithashtu ndikimin e mundshëm nga plani i Shteteve të Bashkuara për të rritur kontrollin në eksportet e teknologjisë.
Duke përmendur motive të sigurisë kombëtare, Shtetet e Bashkuara propozuan rritjen e mbikëqyrjes në eksportet e teknologjisë, në 14 fusha të teknologjisë së lartë, përfshirë inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e mikroprocesorëve.
Washingtoni po i kërkon Pekinit që të përmirësojë aksesin në treg dhe mbrojtjen e pronës intelektuale të kompanive amerikane, reduktojë subvencionet industriale dhe ulë deficitin tregtar prej 375 miliardë dollarë. Trump deri më tani ka vendosur tarifa në 250 miliardë dollarë mallra kinezë, për të detyruar zbatimin e këtyre kërkesave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.