Kina “rrëmben” futbollin – Pjesë e planit ekonomik të Pekinit, shenzimet rriten me 785%
Futbolli nëpër botë sot ka një kryefjalë të re, dhe ajo është Kina. Pekini ka vendosur të bëjë gjëra të çmendura për të guxuar ti rrëmbejë Europës lavdinë e të qenit lider kur bëhet fjala për futboll.
Shifrat tregojnë se në harkun e 5 viteve, klubet kineze kanë rritur shpenzimet me plot 785%.
Në Angli për shembull, tempullin e futbollit europian dhe botëror, rritja fiksohet në vetëm 128%. Në vitin 2012, klubet kineze shpenzonin diku te 50 milionë dollarë, ndërsa sot rreth 500 milionë.
Ritmi sinjalizon se, shumë shpejt do të arrijnë nivelet europiane. Kina kërkon që deri në vitin 2025 të ketë krijuar një industri që vlen 740 miliardë dollarë.
Sporti është pjese e planit ekonomik të Kinës, dhe dokumenti nr.46 është firmosur nga presidenti Xi Jinping, çka tregon se, Kina e ka të ndaluar të dështojë në këtë mision.
Plani merr mbështetjen e biznesmenëve dhe kompanive më të mëdha në vend. Një ndër synimet është ai i krijimit edhe të një ekipi kombëtar në gjendje që të konkurrojë për trofeun më të lakmuar, Kupën e Botës.
Prej disa vitesh Europa është paralajmëruar, por tani ky paralajmërim nuk vlen më, pasi Kina nuk ka ndërmend të ndalet.
Madje tashmë ka hyrë edhe në zemër të kontinentin të vjetër, duke blerë disa prej klubeve më në zë europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.