Kina vazhdon të “blejë” Europën – Filiali i Alibaba blen firmën e pagesave në Britani
Ant Financial, ofruesi kinez i shërbimeve të pagesave i lidhur me grupin Alibaba, ka rënë dakord të blejë firmën britanike të pagesave, WorldFirst, një marrëveshje që flitet se do të kalojë 700 milionë dollarë.
Sipas raportimeve në media, kjo marrëveshje, përbën shtrirjen më të madhe deri më tani e filialit të Alibaba drejt tregjeve perëndimorë.
Lëvizja e Ant Financial, vjen pas një përpjekjeje më herët gjatë vitit të kaluar për të blerë MoneyGram, diçka që u ra dakord mes kompanive po u hodh poshtë nga Qeveria amerikane për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.
Ant Financial bëri të ditur se kjo blerje përbën lëvizjen e parë drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku shumë tregtar e kanë pranuar më parë shërbimin e pagesave të firmës Alipay.
Analistët thonë se blerja do të lejojë firmën kineze që t’i shërbejë më mirë bizneseve të vogla në të gjithë botën. WorldFirst mbylli njësinë në Shtetet e Bashkuara në muajin Janar, për të shmangur ndonjë ndërhyrje të mundshme nga Qeveria me motive të sigurisë kombëtare.
Ant Financial deklaroi se marrëveshja do të bëjë që dy kompanitë të rrisin numrin e klientëve, veçanërisht në tregtinë elektronike përtej kufijve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.