Kishte maskuar makinën si ambulancë dhe transportonte emigrantë! Arrestohet 31 vjeçari nga Tirana. Shpallet në kërkim një tjetër
Një 31 vjeçar nga Tirana është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në kuadër të një operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Referuar njoftimit të policisë, dy shtetasit kishin loguar mjetin si ambulancë për t’i shpëtuar kontrollit të policisë me qëllim transportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Gjatë operacionit 31-vjeçari tentoi t’i largohej policisë duke mos iu bindur urdhrit të tyre, por u kap dhe ndalua. 31 vjeçari, sipas policisë, ishte dënuar më parë për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se disa shtetas do të organizonin transportimin nga rrethi i Devollit në drejtim të Tiranës, të disa të huajve të cilët kishin hyrë në mënyrë ilegale në territorin shqiptar, strukturat e policisë të qarkut Korçë kanë organizuar shërbimet përgjatë aksit rrugor Devoll-Pogradec, me qëllim kapjen e tyre. Shërbimet e Policisë, janë vënë në ndjekje të një mjeti tip “Volkswagen” (në pronësi të shtetasit D. O., të cilin e kishin loguar si ambulancë, me qëllim shmangien e kontrollit të policisë) me drejtues shtetasin R. Ll., brenda të cilit kishte dyshime se ndodheshin shtetasit e huaj.
Në afërsi të fshatit Vreshtas, Policia i ka bërë me shenjë shtetasit R. Ll., që të ndalonte por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, pasagjerëve të tij si edhe përdoruesve të tjerë të rrugës, ku më pas u neutralizua dhe ndalua në fshatin Petrushë, Pogradec. Dy shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim mes tyre dyshohet se iu kishin premtuar shtetasve të huaj, kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 150 euro secilit” njofton Policia.
Referuar njoftimit, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” për të cilën parashikohet 5 deri në 10 vjet burg dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” e cila dënohet me gjobë ose me burg deri në 3 muaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.