Klima e biznesit në Gjermani – Ifo: Ekonomia shton vrull, nuk ndikohet nga ngjarjet politike
Perspektiva e biznesit gjerman është përmirësuar në muajin Prill, duke treguar se ekonomia më e madhe e Europës pritet të vazhdojë në vrull edhe në tremujorin e dytë.
Instituti për hulumtime ekonomike në Mynih, Ifo, raportoi se indeksi i klimës së biznesit, i ndërmarrë nëpërmjet sondazheve mujore të 7,000 firmave, u rrit në 112.9 pikë, niveli më i lartë në 6 vite.
Ekonomistët e institutit thanë për Reuters së ekonomia gjermane nuk po influencohet nga eventet politike të rajonit.
Sondazhi është ndërmarrë në gjysmën e parë të Prillit, që nënkupton se përgjigjet nuk janë ndikuar nga raundi i parë i zgjedhjeve të ditës së Diel. Përmirësime ka pasur në sektorin e ndërtimit dhe shitjet me pakicë.
Produkti i Brendshëm Bruto i Gjermanisë u rrit me 1.9% në 2016-ën, që është norma më e shpejtë në 5 vite, nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme që kompensoi për tregtinë neto.
Megjithatë, prodhimi i fortë industrial dhe shifrat pozitive për eksportet për Janarin dhe Shkurtin, tregojnë se ekonomia mund të ketë shtuar vrull në tremujorin e parë 2017, nxitur edhe nga kërkesa globale për makina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.