Klosi në Spille: Jemi duke verifikuar tokat në bregdet – Zona, me potencial të madh turistik
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ishte në Spille gjatë aksionit të pastrimit të plazhit dhe pyllit pranë tij. Gjatë kësaj vizite, ministri ka inspektuar edhe problematikën e ndarjes në parcela të manipuluara, të cilat shihen si problemi kryesor që zona e Spillesë me një potencial të madh turistik ende nuk ka hotele dhe biznese për të mirëpritur qindra mijëra turistë, ndonëse është një plazh shumë pranë kryeqytetit dhe ka akses me autostradën.
“Jemi në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve me tokat në bregdet. Është e pafalshme që kjo zonë akoma nuk ka një zhvillim të vërtetë turistik. nuk ka hotele të vërteta për mirëpritur qindra mijëra turistë, nuk ka biznese të cilat të mbështesin këtë lloj turizmi pasi realisht e gjithë kjo situatë vjen nga problematika me tokën”, tha Klosi.
Për planet e bashkisë, Vila Bashtovë dhe Spilleja do të shndërrohen në zona ku sezoni turistik të jetë më i gjatë.
“Këtu kemi zona me trashëgimi të vërtetë historike dhe kulturore, kemi zona bujqësore shumë prodhuese kemi zona që kanë potenciale të vërteta turistike dhe këto zona vazhdojnë të jenë akoma plazhe me kushte shumë minimale përsa i përket turizmit dhe relaisht të mos prodhojnë ekonominë që duhet banorët e kësaj zone. Kërkesa jonë e vazhdueshme është që zona me një potencial kaq të madh turistik të shndërrohen në manjete turistike të cilat jo vetëm prodhojnë turizëm por prodhojnë ekonomi, mirëqënie, prodhojnë punësim jo vetëm për zonën, por edhe për më larg se kaq dhe bëhen një zonë konsumatore shumë e madhe”, u shpreh Klosi.
Në aksionin e pastrimit morën pjesë 500 nxënës të dy gjimnazeve të bashkisë Rrogozhinë, ndërsa ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Arsimit Shpat Kolgega, kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini dhe prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.