KLP përzgjedh kandidatët -Të hënën, miratohen emrat që garojnë për Kryeprokuror të Përgjithshëm!
E hëna, do të shënojë një prej fazave vendimtare të garës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, post që mbahet përkohësisht Arta Marku. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet në mesditë për të caktuar listën e kandidatëve që do kualifikohen për fazën përfundimtare të garës. Kandidatët në garë janë katër, por vetë KLP ka bërë me dije se ndonjë prej tyre edhe mund të rrezohet gjatë verifikimeve strikte që u janë bërë garuesve.
Aktualisht janë katër kandidatë që kanë shprehur interesin për detyrën e kryeprokurorit: ata janë Arta Marku (kryeprokurore në detyrë), Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj. Olsion Çela, Prokuror i Krimeve të Rënda, ishte kandidati i fundit për Kryeprokuror të Përgjithshëm që priste të kalonte Vetting-un. Dy kandidatet e tjera, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj ishin konfirmuar prej kohësh në detyrë, ndërkohë që i katërti, avokati Lulzim Allushaj, nuk e ka detyrimin ligjor të kalohet në sitën e Vetting-ut.
Tashmë i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë të përzgjedhë tre emrat që do t’i dërgojë Kuvendit për votim me shumicë të cilësuar. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk merr votat e mjaftueshme të deputetëve, postin e Prokurorit të Përgjithshëm e merr emri që është vlerësuar me më shumë pikë nga ana e Këshillit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.