KLSH: Skema e ndihmës ekonomike nuk është efektive për zbutjen e varfërisë
Në Shqipëri nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat dhe studimet e përkujdesit social. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga auditimi i Kontrollit të Lartë i Shtetit e cila ka kryer auditimin në Ministrinë e Shëndetësisë, në bashkinë Fier, Tiranë dhe Vlorë për periudhën Janar 2012-Maj 2018 të aktivitetit të këtyre institucioneve mbi programin e Ndihmës Ekonomike.
Sipas KLSH, skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre. KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe NJQV subjekte të auditimit, 16 masa organizative dhe 4 për përmirësim ligjor si përcaktimin e metodologjisë së përllogaritjes së vlerës së minimumit jetik në Shqipëri dhe përditësojnë atë periodikisht.
Hartimin e një studimi për nxitjen e punësimit, i cili të ketë në fokus vetëm përfituesit e ndihmës ekonomike dhe rritjen e mundësive të tyre për punësim.
Transparencë në Formulën e Unifikuar të Pikëzimit që përcakton përfituesit e ndihmës ekonomike, përcaktimin e nivelit real të varfërisë në vend, analizuar sipas nivelit të çmimeve, shportës së konsumit, nivelit të shpenzimeve dhe nivelit të inflacionit, me qëllim për të vlerësuar drejtë kontributin në reduktim të varfërisë dhe ruajtjes së transparencës mbi shpenzimin e fondeve publike për reduktimin e saj. KLSH thekson nevojën për përditësimin e hartës së varfërisë në nivel kombëtar.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.