KLSH vendos në pikëpyetje sigurinë ushqimore/ Auditon AKU-në e Tiranës: Nuk vërteton asgjësimin e produkteve të skaduara
Ndërsa siguria ushqimore është një një problem i përhershëm për vendin tonë për shkak të mungesë së gjurmueshmërisë së produkteve, por edhe të kontrolleve të cunguara, duket se edhe vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk del garant për shëndetin e konsumatorëve. Sipas raportit të auditit të publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ku është audituar Drejtoria e AKU-së Tiranë për 3 vjet, konkretisht Janar 2018- Dhjetor 2020, vihen re një sërë shkeljesh që lidhen pikërisht me sigurinë ushqimore.
Kështu sipas raportit, “nga auditimi i praktikave të asgjësimit të produkteve, të cilave u ka kaluar afati i përdorimit ose kanë qenë të dëmtuara dhe nuk mund të konsumohen, është konstatuar se në 59 raste, nuk administrohen dokumentet, të cilat vërtetojnë kryerjen e asgjësimit, si procesverbali i asgjësimit, i cili nënshkruhet nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e asgjësimit (Inspektorët e tatimeve, Inspektorët e DRAKU dhe Inspektorët e ISHMPUT), dokumenti i transferimit të mbetjeve, kontrata e shërbimit ndërmjet gjeneruesit të mbetjeve dhe subjektit i cili ka kryer procedurën e shkatërrimit dhe transportimit të produkteve në landfill, fletë-dalja e produkteve nga magazina subjektit e firmosur nga magazinieri i saj si dhe foto të ngarkimit të produkteve në mjetet e shkatërrimit dhe dërgimit të tyre në landfill”.
Gjë që lë dyshime për mëyrën si janë përdorur këto produkte. Një pikë tjetër shqetësuese që evidenton raporti është se nga auditimi i praktikave të inspektimit të produkteve me origjinë shtazore, ku në 12 raste është konstatuar se produkti mish, i cili është konfiskuar gjatë inspektimit të subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit, nga inspektorët është dërguar në ambientet e subjekteve private, si B.Z.F sh.p.k., K. sh.p.k., në një kohë që këto subjekte janë vetë objekt inspektimi nga DRAKU Tiranë.
Ku theksohet se ky veprim është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore. Po ashtu, vihet në dukje se në kur në procesverbale është bërë bllokimi i produkteve ushqimore të ndryshme dhe linjës së prodhimit, është konstatuar se në 35 raste nuk dokumentohet tërheqja e tyre nga tregu.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.