Klubet e futbollit, probleme me paranë “cash”, Agnelli: Tregu i lojtarëve mund të bjerë me 30% për shkak të Covid-19
Klubet europiane po përballen me një krizë të parasë “cash” dhe për këtë arsye tregu i transferimeve mund të bjerë me 20%-30%, për shkak të Covid-19, paralajmëron kreu i shoqatës që përfaqëson klubet. Andrea Agnelli, kryetar i Shoqatës së Klubeve Europiane, deklaroi se ekipet në të gjithë kontinentin po humbi para nga të drejtat e transmetimit, nga biletat dhe nga sponsorat, si pasojë e masave kundër Covid-19.
Pandemia e futi futbollin në një ngërç gjatë periudhës mars-maj dhe detyroi UEFA-n të reduktojë numrin e ndeshjeve në sezonin e kaluar. Sipas një raporti të Shoqatës së Klubeve Europiane të publikuar në korrik, klubet më të mëdha në Europë mund të humbasin deri në 4 miliardë euro në të ardhura, një shifër të cilën e risolli sërish në vëmendje Anjeli, gjatë konferencës së zhvilluar të martën. Ai tha se klubet janë goditur rëndë, pasi ishin të detyruar të luanin me stadium bosh. Por, duket se situata po ndryshon gradualisht, pasi Superkupa e Europës mes Bayern Munich dhe Sevilla, do të zhvillohet në Budapest me tifozë, por të huajt që do të mbështesin ekipet e tyre do të duhet të kenë me vete një dokument që tregon se janë negativë me Covid-19.
UEFA njoftoi se biletat për ndeshjen e 24 shtatorit kanë dalë në shitje dhe do të shërbejë si një projekt pilot për të rikthyer tifozët në stadiume, gjatë periudhës së pandemisë. Deri tani, të gjitha kompeticionet e UEFA-s janë zhvilluar pa tifozë, por megjithatë disa vende si Franca, Zvicra, Polonia dhe Hungaria kanë lejuar shikuesit në stadiume.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.