Koalicion mes tre partive shqiptare / Dështojnë negociatat e para në Maqedoni, pranon vetëm Alternativa
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë rënë dakord që të formojnë një koalicion të përbashkët parazgjedhor për zgjedhjet e parkohëshme parlamentare të 12 prillit. Këtë e bëri të ditur kryetari i Aleancës, Ziadin Sela përmes një video prezantimi në Facebook të enjten, duke konfirmuar se kishte marrë një pëlqim me shkrim nga ana e kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi për koalicionin:
“Kam marr një pëlqim me shkrim për një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit nga z.Afrim Gashi, kryetari i Alternativës dhe fatkeqësisht kemi hasur në injorim nga ana e palëve të tjera. Kuptohet që me këtë unë patjetër e kam të ju informoj se ne kemi tashmë një parapëlqim për një koalicion për 12 prillin dhe kthim prapa nga ky moment nuk ka”, deklaroi Sela.
Bisedimet ndërmjet partive opozitare shqiptare, përkatësisht Aleancës për Shqiptarët si nismëtare dhe Alternativës e Lëvizjes Besa ka disa javë që janë zhvilluar por pa hollësi për publikun, gjersa zyrtarë të Lëvizjes Besa nxorën para pak ditësh dilemat se partia e tyre po lihej jashtë këtij koalicioni.
Por, zoti Sela thekson se dyert janë të hapura për zgjerimin e koalicionit. Ai tha se “mbetet i hapur për të gjitha palët e interesuara për ta forcuar dhe bashkuar zërin shqiptar dhe për ta bërë maksimale ofertën shqiptare në zgjedhjet e 12 prillit, por edhe në periudhën më pas”.
Aleanca ka tre deputetë në parlament, njëri nga ta vetë z. Sela. Po kaq ka dhe Alternativa ndërsa Lëvizja Besa ka dy ligjvënës. Në sondazhet e publikuara muajt e fundit Aleanca për Shqiptarët qëndron më mirë nga partitë tjera shqiptare të opozitës, madje jo shumë larg Bashkimit Demokratik për InTegrim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.