Koalicioni i Madh në Gjermani, Handelsblatt: Lideri i SPD kërkon Ministrinë e Financave
Lideri i Social Demokratëve në Gjermani, Martin Schulz, kërkon që konservatorët e Angela Merkel t’i japin ministrinë e Financave në bisedimet për koalicion, sipas të përditshmes Handelsblatt.
Liderët e SPD ranë dakord javën e kaluar për të nisur bisedimet mbi formimin e një qeverie me Merkel, duke ofruar mundësinë e përfundimit të “ngërçit” politik në ekonominë më të madhe të Europës.
Merkel humbi disa prej mbështetësve të saj ndaj partisë së djathtë ekstreme në zgjedhjet e 24 Shtatorit dhe dështoi të formojë aleancën me demokratët e lirë dhe partinë e gjelbërt në Nëntor.
Social Demokratët shqetësohen se partia e tyre do të humbasë identitetin dhe do të përballet me humbje të tjera elektorale, nëse bie dakord për një tjetër koalicion të madh me konservatorët.
SPD ka qenë partner në koalicion me Merkel në periudhat 2005-2009 dhe 2013-2017. Handelsblatt raportoi se Schulz kërkon që partia e tij të marrë nën kontroll ministrinë e Financave, që është drejtuar në 8 vitet e fundit nga veterani Wolfgang Schaeuble.
Konservatorët e Merkel dhe Partia Social Demokrate pritet të nisin bisedimet ditën e Mërkurë, që do të bëhen serioze në fillim të muajit Janar.
Më pas një konventë e partisë Social Demokrate e planifikuar në mes të Janarit pritet t’i japë dritën jeshile negociatave zyrtare për koalicionin dhe çdo dakordësi do të jetë subjekt për miratim nga anëtarët e partisë.
Kjo nënkupton se Gjermania mund të mos ketë formuar qeverinë e re deri në Mars të vitit që vjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.