Kolapson Wirecard! Lë kreditorët me një pretendim prej 4 mld dollarë
Kompania gjermane e pagesave, Wirecard, kolapsoi këtë Javë, pasi shfaqi një “gropë” gjigante financiare prej 2.1 mld dollarë në regjistra, duke i lënë kreditorët me një pretendim prej 4 miliardë dollarë, që nuk ka gjasa të paguhet. Kolapsi i kompanisë së teknologjisë financiare vjen 2 vite pasi fitoi pranimin tek indeksi prestigjoz i aksioneve në Gjermani, Dax 30. Wirecard arriti një vlerë në treg prej 28 miliardë dollarë në kulmin e vetë dhe u kthye në kompaninë e parë të Dax që del jashtë biznesi.
Aksionet e Wirecard u “zhytën” me 80% në nivelin më të ulët që prej Janarit 2006, pasi kompania deklaroi se po aplikon për mungesë likuiditeti. Rrënimi i menjëhershëm i Wirecard, i lë kreditorët me një pretendim prej 3.9 miliardë dollarë. Prej kësaj sasie, kompania ka marrë 1.75 miliardë euro hua nga 15 banka dhe 500 milionë euro nga investitorë obligacionesh.
“Paraja ka ikur. Mund të marrim pak euro në disa vite, por do ta fshijmë nga bilanci kredinë”, sipas një prej burimeve për Reuters. Aksionet u pezulluan nga tregtimi për 60 minuta nga bursa e Frankfurtit përpara lajmërimit. Kompania ka humbur 98% të vlerës që kur audituesi EY refuzoi të nënshkruajë pasqyrat e vitit 2019 javën e kaluar, ç’ka detyroi largimin e ekzekutivit Markus Braun.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.