Komentet e Mnuchin për dollarin – Shkaktojnë rënien e shpejtë të valutës, Lagarde kërkon shpjegim
Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde, tha se Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin, duhet të shpjegojë komentet e tij në lidhje me mbështetjen e dollarit të dobët, duke shtuar se reforma tatimore në SHBA, me shumë mundësi do të shkaktojë rritjen e valutës.
“Shpresoj që Sekretari Mnuchin do të ketë mundësinë të qartësojë komentet e tij. Dollari është një valutë fleksibël, ku vlera përcaktohet nga tregjet dhe përshtatet nga themelet e politikave të Shteteve të Bashkuara”, tha Lagarde në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Dollari ra në nivelin më të ulët që prej vitit 2014 ditën e Enjte, një ditë pasi Mnuchin tha se zhvlerësimi i valutës do të ndihmojë ekonominë.
“Zhvlerësimi i dollarit është diçka pozitive për ne pasi lidhet me tregtinë dhe mundësi të tjera. Vlera në afat-shkurtër e valutës nuk përbën fare shqetësim për ne”, tha Sekretari i Thesarit në Davos.
Lagarde përsëriti këndvështrimin e saj se reforma tatimore në SHBA ka gjasa të fuqizojë dollarin në terma afat-mesëm. Sipas analistëve, shprehja në publik e preferencës së dollarit të dobët, ka gjasa të rrisë rrezikun e luftës globale të valutave.
Nga ana tjetër, fuqizimi i paundit po mirëpritet nga ministri i Financave në Britani, Philip Hammond. Sipas tij, forcimi i paundit mund të nxisë ekonominë duke ulur inflacionin, që ka kaluar rritjen e pagave që prej referendumit në 2016-ën.
Në lidhje me komentet e sekretarit amerikan të Thesarit, Hammond tha se nuk beson se do të shkaktojë një luftë të valutave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.