Komisioneri grek i BE, vizitë zyrtare në Tiranë më 11 dhe 12 Shkurt – Në agjendën e takimeve edhe Janullatos
Dimitris Avramopoulos, Komisioneri për çështjet e brendshme, migracionin dhe shtetësinë në Bashkimin Europian do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë ditën e hënë dhe të diel.
Komisioneri grek do të takohet me kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Diskutimet do të përqëndrohen në bashkëpunimin me Bashkimin Europian mbi emigracionin, sigurinë dhe menaxhimin e kufirit.
Nga bisedimet pritet të shpallet një plan për çështjet e mësipërme, i cili do të komunikohet gjatë një konference të përbashkët me ministrin Xhafaj ditën e hënë.
Po ashtu, në agjendën e Avramopoulos parashikohet edhe një takim mbrëmjen e së dielës me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Anastas Janullatos.
Vizita e komisionerit vjen në një moment kur Shqipëria po shpreson të hapë negociatat për anëtarësimin në BE dhe gjithashtu ndodhet në një proces negocimi me Greqinë mbi përcaktimin e kufijve detarë. Avramopoulos më parë ka mbajtur detyrat e Ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, Ministrit të Jashtëm, si edhe një sërë pozicionesh të tjera në kabinetet qeveritare.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.