Komisioni i Sigurisë miraton OFL-në – Voda: Në 2019 u konfiskuan vetëm 30 mijë euro, struktura do konfiskojë pasuritë e krimit
Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka miratuar të mërkurën Aktin Normativ të Qeverisë i për ngritjen e strukturës Operacioni Forca e Ligjit, e cila do të sekuestrojë e konfiskojë pasuritë e paligjshme të krimit. Akti u argumentua përpara Komisionit nga Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, sipas së cilës, pjesë e saj janë bërë elita e forcës së Policisë së shtetit, ndërkohë që do të mbështetet edhe nga ekspertë të jashtëm ekonomie e kontabiliteti për gjurmimin e pasurive të jashtëligjshme. Sipas Vodës, OFL do të ketë degën e saj në çdo drejtori rajonale të policisë, ndërkohë që për herë të parë, është bërë i mundur aksesi i forcave të rendin në sistemet e të dhënave të institucioneve që kanë informacion mbi pasuritë e pronat e personave nën akuzë.
Domosdoshmërinë e kësaj strukture Voda e argumentoi me faktin se kriminelët prej vitesh gëzojnë të pashqetësuar pasuritë, ndërkohë që në 2019 janë arritur të konfiskohen vetëm 30 mijë euro. Voda solli në vëmendje edhe mbështetjen që ka gjetur krimi te sistemi i korruptuar gjyqësor.
Mandati i Operacionit Forca e Ligjit do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2020, ndërkohë që trajtimi i pasurive të krimit më tej do të jetë në dorë të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të hetimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.