Komiteti i Stabilizim-Asociimit – Integrimi në BE, PS-PD bien dakord për rekomandimet
Integrimi i vendit në BE bashkon opozitën me maxhorancën. Në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit që u mbajt gjatë dy ditëve të fundit në Tiranë, janë pranuar amendamentet e propozuara prej Partisë Demokratike.
Si rrjedhojë, të dyja palët kanë kërkuar një datë për hapjen e negociatave nga BE-ja. Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian u shpreh se për herë të parë partitë politike në Shqipëri kanë arritur një marrëveshje, pas shumë përpjekjesh duke vënë në radhë të parë interesat kombëtare të vendit.
Në rekomandimet e propozuara nga PD ishte edhe rishikimi më me hollësi i financimeve dhe i PPP-ve.
Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar si një lajm të mirë dakordësinë mes palëve.
Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian, Monica Macovei, u shpreh më tej se nëse vijon puna me seriozitet në plotësimin e kritereve ndoshta në prill do të ketë një datë për hapjen e negociatave.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.